Add parallel Print Page Options

30 "Mjerë bijtë rebelë, thotë Zoti, që bëjnë projekte që nuk vijnë nga unë, që lidhin aleanca, por pa Frymën time, për të grumbulluar mëkate mbi mëkate;

që shkojnë poshtë në Egjipt pa konsultuar më parë gojën time, për t’u përforcuar në forcën e Faraonit dhe për të kërkuar strehë në hijen e Egjiptit!

Por forca e Faraonit do të jetë turpi juaj dhe streha në hije të Egjiptit fatkeqësia juaj.

Sepse princat e tij kanë shkuar në Tsoan dhe ambasadorët e tij kanë arritur në Hanes.

Por do të turpërohen të gjithë nga një popull që nuk do t’u hyjë fare në punë, që nuk do t’iu japë asnjë ndihmë o përfitim, por vetëm turp dhe poshtërim.

Një profeci kundër kafshëve të Neghevit: nëpërmjet një vendi të mjeruar dhe plot ankthe, prej të cilit vijnë luanesha dhe luani, nepërka dhe gjarpëri i zjarrtë që fluturon, ata mbartin pasuritë e tyre mbi kurrizin e gomarëve dhe thesaret e tyre mbi kurrizin e deveve një populli prej të cilit nuk kanë për të përfituar asgjë.

Sepse ndihma e Egjiptit është e kotë dhe e padobishme, prandaj unë e quaj: "Rahab-Hem-Shebeth".

Tani eja, shkruaje këtë mbi një rrasë të vogël dhe shkruaje në një libër, që të mbetet për ditët e ardhshme, për gjithnjë, përjetë.

Sepse ky është një popull rebel, janë bij gënjeshtarë, bij që nuk duan të dëgjojnë ligjin e Zotit,

10 që u thonë shikuesve: "Mos kini vegime," dhe profetëve: "Mos na profetizoni gjëra të vërteta, na tregoni gjëra të këndshme, na profetizoni gjëra mashtruese.

11 Dilni jashtë rruge, braktisni shtegun e drejtë, largoni nga sytë tona të Shenjtin e Izraelit!"".

12 Prandaj kështu thotë i Shenjti i Izraelit: "Me qenë se ju e përçmoni këtë fjalë dhe keni besim te shtypja dhe te ligësia, dhe mbështeteni mbi to,

13 kjo paudhësi do të jetë për ju si e çarë që rrezikon të rrëzohet, një dalje te një mur i lartë, rrëzimi i të cilit ndodh papritmas, në një çast,

14 dhe thyhet si një enë prej balte të pjekur, që dikush copëton pa mëshirë duke mos mundur të gjejë në copat e tij qoftë edhe një copë për të marrë zjarr në vatër ose për të marrë ujë nga sterna".

15 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti, i Shenjti i Izraelit: "Duke u kthyer tek unë dhe duke pushuar tek unë, do të shpëtoni; forca juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj. Por ju nuk keni dashur,

16 madje keni thënë: "Jo, ne do të ikim me kuajt tanë!". Prandaj ju do të ikni. Dhe: "Do të shkojmë me kuaj të shpejtë!". Prandaj ata që do t’ju ndjekin do të jenë edhe më të shpejtë.

17 Një mijë prej jush do të ikin nën kërcënimin e një të vetmi; nën kërcënimin e pesë vetave do të ikni me vrap, deri sa të rrini si një hu mbi majën e një mali, si një flamur mbi një kodër".

18 Prandaj Zoti do të presë për t’ju dhënë hir, pastaj ai do të lartësohet, sepse i erdhi keq për ju, sepse Zoti është një Perëndi i drejtësisë. Lum të gjithë ata që kanë shpresë tek ai!

19 O popull i Sionit që banon në Jeruzalem, ti nuk do të qash më. Ai do të të bëj nder me siguri; duke dëgjuar zërin e britmës sate; sapo të të dëgjojë, do të përgjigjet.

20 Edhe sikur Zoti t’ju japë bukën e ankthit dhe ujin e shtypjes, megjithatë ata që të mësojnë nuk do të duhet të fshihen, dhe sytë e ty do të shohin mësuesit e tu.

21 Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: "Kjo është rruga, ecni në të!".

22 Konsiderojini si të papastra shëmbëlltyrat tuaja të gdhendura të veshura me argjend dhe shëmbëlltyrat tuaja prej metali të derdhur të veshura me ar; do t’i flakni tutje si një gjë e papastër, "Jashtë!," do t’u thoni atyre.

23 Atëherë ai do t’i japë shiun për farën tënde që do të kesh mbjellë në tokë; dhe buka që toka do të prodhojë do të jetë e shijshme dhe e bollshme; atë ditë bagëtia jote do të kullosë në kullota të gjera.

24 Qetë dhe gomarët që punojnë tokën do të hanë forazhin me kripë, të ajrosur me lopatën e drithit.

25 Mbi çdo mal të lartë dhe mbi çdo kodër të lartë do të ketë rrëke dhe rrjedha uji ditën e masakrës së madhe, kur do të rrëzohen kullat.

26 Drita e hënës do të jetë si drita e diellit, dhe drita e diellit do të jetë shtatë herë më e fortë, si drita e shtatë ditëve, ditën kur Zoti do të lidhë plagën e popullit të tij dhe do të shërojë plagën e shkaktuar nga goditjet e tij.

27 Ja, emri i Zotit vjen nga larg; zemërimi i tij është i zjarrtë dhe barra e tij e rëndë; buzët e tij janë plot indinjatë dhe gjuha e tij si një zjarr që të përpin;

28 fryma e tij është si një përrua që vërshon dhe që arrin deri në qafë për të shoshitur kombet me shoshën e shkatërrimit dhe për të vënë në nofullat e popujve një fre që t’i bëjë të përdalin.

29 Atëherë do t’ia merrni një këngë si natën kur kremtoni një festë; dhe do të keni gëzim në zemër, ashtu si ai që shkon me zërin e fyellit në malin e Zotit, në kështjellën e Izraelit.

30 Pastaj Zoti do të bëjë të dëgjohet zëri i tij madhështor dhe do të tregojë si godet me krahun e tij kur tërbohet zemërimi i tij, në flakën e një zjarri gllabërues, në mes shpërthimesh të furishme, uraganësh dhe breshëri gurësh.

31 Me qenë se Asiria do të goditet nga frika e zërit të Zotit, që do ta rrahë me shufër;

32 dhe çdo goditje që do të jepet me shkopin të cilin Zoti do të bëjë t’i bjerë mbi të, do të shoqërohet nga tingujt e dajreve dhe të qesteve. Ai do të luftojë kundër asaj duke tundur dorën në mënyrë kërcënuese.

33 Tofeti është përgatitur prej shumë kohe, ai është gati edhe për mbretin; ky e ka bërë të thellë dhe të gjerë; mbi turrën e druve për ta djegur ka zjarr dhe dru me shumicë; fryma e Zotit, si një rrymë squfuri, do ta ndezë.