Add parallel Print Page Options

18 Davidi kaloi në revistë njerëzit që ishin me të dhe caktoi mbi ta komandantë të mijëshëve dhe të qindshëve.

Pastaj Davidi nisi përpara një të tretën e njerëzve të tij nën komandën e Joabit, një të tretën nën komandën e Abishait birit të Tserujahut, vëlla i Joabit, dhe një të tretën nën komandën e Itait të Gathit. Pastaj mbreti i tha popullit: "Dua të vij edhe unë me ju!".

Por populli u përgjigj: "Ti nuk duhet të vish, sepse po të na vënë përpara, nuk do të na jepnin rëndësi; edhe po të vdiste gjysma jonë, nuk do të na jepnin rëndësi; por ti vlen sa dhjetë mijë nga ne; është më mirë të rrish gati të na ndihmosh nga qyteti".

Mbreti iu përgjigj me këto fjalë: "Do të bëj atë që ju duket më mirë". Kështu mbreti mbeti pranë portës së qytetit, ndërsa tërë populli dilte në formacion nga njëqind dhe nga një mijë veta.

Mbreti u dha këtë urdhër Joabit, Abishait dhe Itait: "Për hirin tim, silluni me kujdes me të riun Absalom!". Tërë populli e dëgjoi kur mbreti e dha këtë urdhër të gjithë komandantëve lidhur me Absalomin.

Kështu ushtria doli në fushë kundër Izraelit dhe beteja u zhvillua në pyllin e Efraimit.

Populli i Izraelit u mund atje nga shërbëtorët e Davidit; dhe në atë vend masakra qe e madhe; atë ditë ranë njëzet mijë njerëz.

Beteja u shtri në të gjithë krahinën; dhe pylli gllabëroi më tepër njerëz nga sa kishte gllabëruar shpata.

Pastaj Absalomi u ndesh me njerëzit e Davidit. Absalomi i kishte hipur një mushke, e cila u fut poshtë degëve të dendura të një lisi të madh dhe koka e Absalomit mbeti e kapur në lis, dhe ai mbeti i varur midis qiellit dhe tokës; ndërkaq mushka që ndodhej poshtë tij po kalonte tutje.

10 Një njeri e pa këtë gjë dhe lajmëroi Joabin, duke thënë: "E pashë Absalomin të varur në një lis".

11 Atëherë Joabi iu përgjigj njeriut që e kishte informuar: "Ja, ti e pe? Po pse nuk e shtrive menjëherë të vdekur në tokë? Unë do të të kisha dhënë dhjetë sikla argjendi dhe një brez".

12 Por ai njeri i tha Joabit: "Edhe sikur të më jepnin në dorë një mijë sikla argjendi, unë nuk do ta shtrija dorën kundër birit të mbretit, sepse ne e kemi dëgjuar urdhrin që mbreti të ka dhënë ty, Abishait dhe Itait, duke thënë: "Kini kujdes të mos i bëni asnjë të keqe të riut Absalom".

13 Në fakt do të kisha vepruar në mënyrë jo të ndershme kundër vetë jetës sime, sepse asgjë nuk i mbahet e fshehur mbretit; edhe ti vetë do të ishe kundër meje".

14 Atëherë Joabi tha: "Nuk dua të humb kohën me ty në këtë mënyrë". Kështu mori në dorë tri shtiza dhe i futi në zemrën e Absalomit, që ishte akoma gjallë në pjesën e dendur të lisit.

15 Pastaj dhjetë shqyrtarë të rinj të Joabit e rrethuan Absalomin, e goditën akoma dhe e mbaruan.

16 Atëherë Joabi urdhëroi që ti binin borisë, populli nuk e ndoqi më Izraelin sepse nuk e lejoi Joabi.

17 Pas kësaj e morën Absalomin, e hodhën në një gropë të madhe në pyll dhe hodhën mbi të një sasi të madhe gurësh; pastaj tërë Izraelitët ikën, secili në çadrën e vet.

18 Absalomi, sa qe gjallë, i kishte ngritur vetes një monumet në Luginën e Mbretit, sepse thoshte: "Unë nuk kam djalë që të ruajë kujtimin e emrit tim". Kështu i dha emrin e tij këtij monumenti, që edhe sot quhet "monumenti i Absalomit".

19 Ahimatsi, bir i Tsadokut, i tha Joabit: "Lermë të shkoj me vrap dhe t’i çoj mbretit lajmin që Zoti i siguroi drejtësi kundër armiqve të tij".

20 Joabi iu përgjigj: "Ti nuk do ta çosh lajmin sot; do ta çosh një ditë tjetër; nuk do ta çosh lajmin sot, sepse biri i mbretit ka vdekur".

21 Pastaj Joabi i tha Etiopasit: "Shko dhe tregoja mbretit atë që ke parë". Etiopasi u përul para Joabit dhe iku me vrap.

22 Ahimatsi, bir i Tsadokut, i tha prapë Joabit: "Sido që të ndodhë, të lutem, më lejo të fugoj prapa Etiopasit". Joabi i tha: "Po pse dëshiron të fugosh, biri im? Sidoqoftë nuk do të kesh asnjë shpërblim për lajmin që çon".

23 Dhe tjetri tha: "Sido që të ndodhë, dua të vrapoj". Joabi i tha: Vrapo!!". Atëherë Ahimatsi filloi të vrapojë nëpër rrugën e fushës dhe e kaloi Etiopasin.

24 Davidi ishte ulur midis dy profetëve; roja hipi në çatinë e portës pranë mureve; ngriti sytë dhe shikoi, dhe ja, një njeri vraponte krejt vetëm.

25 Roja bërtiti dhe njoftoi mbretin. Mbreti tha: "Në rast se është vetëm, sjell lajme". Dhe ai po afrohej gjithnjë e më tepër.

26 Pastaj roja pa një njeri tjetër që vraponte dhe i thirri rojes së portës: "Ja një tjetër njeri që vrapon vetëm!". Mbreti tha: "Edhe ky sjell lajme".

27 Roja shtoi: "Mënyra e të vrapuarit të të parit më duket si ajo e Ahimatsit, e birit të Tsadokut!". Mbreti tha: "Éshtë një njeri i mirë dhe vjen me lajme të bukura".

28 Ahimatsi i bërtiti mbretit dhe tha: "Paqe!". Pastaj u shtri përpara mbretit me fytyrën për tokë dhe tha: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia yt, që ka lënë në pushtetin tënd njerëzit që kishin ngritur duart kundër mbretit, zotërisë tim!".

29 Mbreti tha: "A është mirë i riu Absalom?". Ahimatsi u përgjigj: "Kur Joabi dërgoi shërbëtorin e mbretit dhe mua, shërbëtorin tënd, pashë një rrëmujë të madhe, por nuk e di përse bëhej fjalë".

30 Mbreti i tha: "Kthehu dhe qëndro këtu". Dhe ai u kthye dhe mbeti aty.

31 Pikërisht në atë çast arriti Etiopasi, i cili tha: "Lajme të mira, o mbret, o imzot. Zoti të ka siguruar sot drejtësi, duke të çliruar nga duart e të gjithë atyre që kishin ngritur krye kundër teje".

32 Mbreti i tha Etiopasit: "A është mirë i riu Absalom?". Etiopasi u përgjigj: "Armiqtë e mbretit, zotërisë tim, dhe tërë ata që ngriheshin kundër teje për të të bërë të keqe qofshin si ai i ri!".

33 Atëherë mbreti, duke u dridhur i tëri, u ngjit në dhomën që ishte mbi portën dhe qau; dhe thoshte: "O biri im Absalom; biri im, biri im Absalom! Të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!".